Pretenca e prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Kosovës, për ish krerët e UÇK-së në Hagë, është në një përballje të hapur gjykimi prej shqiptarëve në përgjithësi, drejtuesve politikë të një spektri shumëpërfshirës mbarëshqiptarë, diplomatë dhe emra të njohur të historisë shoqërore dhe politike në Perëndim dhe në Europë e sidomos në rajonin e Ballkanit. Kurrë ndonjëherë më parë, institucionet e drejtësisë në Hagë (që veprojnë nën juridiksionin e Republikës së Kosovës) nuk kanë imponuar një reaksion të tillë reagimesh dhe denoncimesh si në rastin e kërkesës për dënim me 185 vite burg. Bëhet fjalë për pretencën, në procesin penal ndaj ish drejtuesve të UÇK -së, njëherësh ish shtetarët më të lartë institucionalë të republikës së Kosovës, si ish Presidenti Hashim Thaçi, ish kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, ish kryetari i SHIK, Kadri Veseli dhe ish drejtues i TMK, gjeneral major Rexhep Selimi. Ky proces i pazakontë ka inkurajuar narativën e absurdit në raportet mes lirisë dhe drejtësisë, ku kjo e dyta, tashmë ekspozohet në funksionime anshmërie, ”me ushqim faktesh” nga pala e ish pushtuesit genocidist. Si e tillë, kjo drejtësi po dëshmohet si padrejtësi. Procesi gati pesë vjecar, ndaj të katër ish krerëve të UÇK -së, ndërsa ka mbërritur në kapitullin epilogues, ka ngritur keqësisht imazhin e një roli të anshëm dhe stigmatizues të Prokurorisë Speciale ndaj çlirimtarëve të Kosovës. Nuk ishte dhe nuk vazhdon thjesht si një proces ndaj krimeve individuale të pretenduara, por është një regjistër i hapur juridik, kontributorë për plotësimin e tij nuk janë viktimat apo të prekurit, por disa kategori të përfshirësh: Dëshmitarë anonimë që gjatë seancave pyetësore u përpoqën të ruajnë besnikërinë ndaj versioneve të hulumtuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë, nga arkivat e ish satrapit të Ballkanit,( të vdekurit pa gjykim në Hagë), Sllobodan Milosheviçi si dhe nëpunësve dhe informatorëve të shërbimeve shtetërore serbe. Ato dosje të mbërritura në Hagë nga Serbia, janë pamëdyshje, artefakte të ndikimit dhe sendërtimit të një procesi të tillë, për clirimtarët e një vendi me histori tragjike dhunimesh, vrasjesh dhe shtypjesh. Të akuzuarit çlirimtarë, të cilët bënë detyrën ndaj popullit dhe atdheut të tyre, duke u ngritur kundër genocidit, u përballën në këtë proces akuzash me dosjet e formuluara në Beograd, ose në zyra dhe prej individësh parashtetërorë, të Serbisë… Drejtësia e Kosovës në Hagë, (si një rast unik në Europë e më tej), përmes këtij procesi, padashur ka PROKURORIA SPECIALE GJYKOHET PËR PADREJTËSI imponuar një histori gjykimi, jo vetëm popullor, për Prokurorinë dhe Gjykatën Speciale. Aq më tepër paradoksale bëhet kjo përballje, kur thekson faktin se të akuzuarit sot, janë gjithaq edhe legjitimuesit juridikë të kësaj drejtësie të huaj, e cila është formalizuar si e Kosovës në ekstrateritorialitet, falë votës së të pandehurve kur ata ishin qeverisës të vendit të tyre. Pretenca e rëndë nuk ndëshkon individët dhe aq më tepër nuk respekton maksimalisht prezumimin e krimeve të pretenduara. Në krejt kalendat e këtij procesi hetimor dhe sidomos në seancat odiseane të intervistimeve, është parë se si është pretenduar “e rënda” dhe ka rezultuar “e dyshuara”. Romani “zhurmues” i njohur me titullin “Shtëpia e verdhë” apo raporti gjëmëpretendues i Dick Martit, janë dëshmia autentike e degradimit të akuzës së pretenduar se çlirimtarët e Kosovës kanë qenë një çetë “trafikantësh apo kriminelësh të organeve njerëzore”. Pretenca e shpallur nga prokurorët specialë, do të gjykohet e peshohet prej gjykatës speciale dhe shumëkush e pret verdiktin që e ekspozon falsitetin e saj. Mbrojtja e të akuzuarve ka “ situr” në aq seanca, fakt më fakt, të vërtetën që posedojnë si të pandehur, çlirimtarët. Pushtuesi dhe krimineli, çuditërisht nuk kanë qenë në rend të parë për t’u përballur me këtë drejtësi. Asimetria e kësaj drejtësie në marrëdhënien mes dy palëve (kriminel-viktimë) është këmbëngulje e saj. Konsistente në këtë padrejtësi stigmatizuese, të fitimtarëve të një populli të vogël, prokuroria në Hagë e mbylli provën e vetvetes, qyshse sikundër do të thotë Milan Kundera: “ në pusin e së shkuarës” zgjodhi si të parë për gjykim, viktimën. Kjo prokurori vendosi në resht të parë dhe për të parë, palën e viktimës, më saktë, çlirimtarët e popullit të përgjakur. Në këtë vetëzgjedhje apo zgjedhje të imponuar, drejtësia në Hagë, ka mundësuar një proces të gjatë të gjykimit për veten, i cili natyrshëm nuk është juridik, por pashmangshmërisht, një gjykim historik për padrejtësinë që mishëron. Të akuzuarit nga Kosova në Hagë, qenkan të dënuar me fatin e luftëtarit: nga lufta erdhën, betejë për të vërtetën po vuajnë. Ndonëse do të duhej të meritonin, vetëm fatin e çlirimtarëve.







