Në mesin e 1934, një organizatë e fshehtë po operonte në vend, nën drejtimin e njerëzve të ditur e me shkollë e me anëtarë të shumtë që pretendonin se regjimi i Mbretit Zog ishte autoritar, kishte ndikim italian në ekonomi dhe administratë nga njëra anë, e varfëri të madhe të popullit nga ana tjetër. Ishte koha kur pakënaqesitë politike, sociale e ekonomike po rriteshin ndjeshëm, pavarësisht se Zogu kishte ndërmarrë reforma që forconin pushtetin e tij personal. Shtypi i kohës shkroi se qeveria kishte dijeni rreth 15 ditë para se kryengritja e Fierit të fillonte, por nuk po nxitohej të arrestonte organizatorët e saj. Kërkonte kohë për të mbledhur prova e dokumente, për të mos kompromentuar hetimin e organizatës së fshehtë deri në anëtarin e fundit të saj. I pari i arrestuar ishte Uan Filipi, i cili punonte në Laboratorin shtetëror të Tiranës. Ai rrëfeu emrat e disa prej anëtarëve të organizatës dhe qëllimin që kishin. Arrestime u kryhen edhe në Fier, por ato u mësuan shumë shpejt dhe drejtuesit e kryengritjes, deklaruan fillimin e saj.
Ngjarja doli jashtë parashikimeve si të qeverisë ashtu edhe të kryengritësve pas vrasjes së gjeneral Gilardit, i cili u gjend krejt rastësisht, në kohën e vendin e gabuar, në mitingun që po zhvillohej në qendër të Fierit, ku përpara turmës së mbledhur Musa Kranja deklaronte nisjen e kryengritjes në të gjithë vendin. Pas vrasjes së gjeneralit, që po shkonte të blente sende antike në fshatrat e rrethinave të Apolonisë, një komision i ngritur për qeverisjen e Fierit, qëndroi në bashki nga ora 18 e ditës së mërkurë deri në orën 07.00 të ditës së enjte.
Mbështetni autorët dhe abonohuni në përmbajtje
Këto artikuj janë premium. Zhbllokoji për të lexuar të gjithë artikullin.







