Kur në vitin 2016 u miratua reforma në drejtësi premtimi solemn i SHBA dhe BE ishte “merr fund kultura e pandëshkueshmërisë”. Qytetarët e mbështetën duke krijuar pritshmëri shumë më të larta sesa shanset teorike dhe mjetet praktike, politika e mbështeti, kryesisht nën presionin amerikan. As Rama, as Basha, as Meta dhe as Berisha nuk ishin entuziastë dhe me të drejtë. Reforma eksperimentale e votuar prej tyre, do kthehej kundër tyre. PS e PD kishin tradita të njëjta: secila emëroi deputetët e saj në krye të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese dhe natyrisht, të dyja kontrolluan prokuroritë dhe vendimmarrjet në gjykata. Përjashtimet janë të rralla. I dënuari më i njohur, ish kryeministri Nano u ribë kryeministër dhe më pas fitoi pafajësinë. Të gjithë të tjerët po ashtu, amnisti ose pafajësi, përfshirë ish drejtuesit e regjimit komunist.
Reforma u pa më shumë si “spastrim e zhvendosje” sesa vizion për të drejtësi funksionale. Vetingu u krijua si eksperiment, SPAK gjithashtu. Ideja se Shqipëria mund të ndjekë modelin rumun (DNA) dhe kroat (USKOK) për nxjerrje para drejtësisë të hierarkisë së lartë shtetërore e politike të përfshirë në korrupsion, dukej një iluzion. Më 31 korrik 2019 kaloi vetingun prokurori Altin Dumani, një karrierë tipike e njeriut pa mbështetje politike dhe miq në vendimmarrje: emërimi i parë në Sarandë, i dyti në Tropojë. Merita e solli në krimet e rënda në Tiranë. Kur KLP shpalli renditjen e kandidatëve për SPAK, Dumani rezultoi në krye të listës. Dy vendet pasuesit u rrëzuan në veting, i katërti, Kraja, me dy vota më shumë se Dumani (6 vs 4) u bë drejtuesi i parë i SPAK. Tre vjet më vonë Dumani rikandidoi përballë një kandidati të mbështetur nga qeveria. Mori 50% të votave, mjaftueshëm në garën me tre kandidatë. Kur ai mori mandatin ende asnjë zyrtar VIP nuk ishte përballur me drejtësinë, por SPAK ishte edhe më i plotë në staf, me BKH në mbështetje, me zyra dhe infrastrukturë mbështetëse. Në krye të tre viteve u hetuan dhe kaluan për gjykim dy ish-presidentë/dy ish-kryeministra, disa ministra dhe kryetarë bashkie, përfshirë ai i Tiranës. Një zv/kryeministër u arratis, një tjetër është e pandehur. Në total 76 VIP, thotë SPAK, me 37 milionë pasuri të tyre të sekuestruar. Shifrat nuk më thotë asgjë, por përmbajtja po. Disa prej emrave janë në Top listën jozyrtare të “të paprekshmëve/pandëshkuarve” të tranzicionit, ndër ata pak emra që kontrolluan Shqipërinë formale dhe informale të 2-3 dekadave të fundit, abuzuan me të dhe krijuan një sistem korruptiv që minoi themelet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Të tjerë me përgjegjësi të njëjta nuk janë parë ende në portën e SPAK. Deri tani. Dy palët, ata nën akuzë, ata (ende) pa akuzë vijuan siç pritej, të denigrojnë, sulmojnë dhe pengojnë SPAK, drejtuesit, gjyqtarët, dhe këdo që kërkoi e kërkon drejtësi dhe “barazi para ligjit”.
Mbështetni autorët dhe abonohuni në përmbajtje
Këto artikuj janë premium. Zhbllokoji për të lexuar të gjithë artikullin.







