Sot kur ky numër reviste vjen në duart e lexuesit, Altin Dumani e ka lënë zyrën e tij të drejtuesit të SPAK. Një zyrë modeste në katin e tretë të pallatit të qelqtë, ku edhe unë, hyra me kuriozitetin se “çfarë gatuhet aty brenda”. Të hysh në SPAK të kap një lloj drithërime, qoftë edhe kur nisesh për një kafe me kryeprokurorin. Por brenda akujt shkrihen dhe fillon kurioziteti. Altin Dumani zgjedh të ulet në qoshen e këndit të zi prej lëkure, pa mbështetëse nga pas, (aspak komode m’u duk). Meqë është e shtunë, – dhe ai punon edhe të shtunave e të dielave kur ka shumë punë, – nuk ka askënd në paradhomë të të ofrojë një kafe, ndaj ngrihet e bën vetë. Këtu biseda nis natyrshëm, për familjen, për punën, për pushimet, për sigurinë e pasigurinë e të qenurit në detyrën që ka mbajtur deri tani si drejtues i institucionit, por edhe thjesht si prokuror i SPAK në vijim. Ai ka luajtur një rol në këto tre vite dhe kjo nuk është pak. E ngacmoj shumë për frikën, apo frikërat, sidomos për rrethin e vet familjar. Nuk përfitoj ndonjë gjë të madhe. Altin Dumani, duket, dhe paraqitet si një njeri i lirë. E ka kërkuar dhe e ka fituar me forcat e veta, kundër të gjithëve që kanë diçka në dorë, por me mbështetjen e njerëzve të thjeshtë që e kanë parë si një shpresë. “Do rrisim fëmijët këtu thotë”, duke kujtuar se pavarësisht ku shkon, ideja se do të kthehet këtu, i pëlqen. Të duket sikur Dumani e kupton se ky vend e ka nisur garën shumë vonë, ndaj në 3 vjet, vrapoi me gjithë shpejtësinë për të arritur kohën e humbur: 37 milionë euro pasuri e sekuestruar për 17 zyrtarë të nivelit të lartë nuk janë pak. Fundja, shifrat janë ato që nuk të tradhëtojnë, e gjithçka bëhet për paratë: ato duhet t’u kthehen qytetarëve. Ndoshta kjo intervistë ndokujt mund t’i duket skematike, me një Prokuror që na tregon ligjin e nuk flet për çështje konkrete, por brenda saj përshfaqet një zyrtar i shtetit që kishte marrë një detyrë të madhe përsipër dhe e lë me një bilanc pozitiv në postin drejtues, (sepse do të vazhdojë si prokuror). Eshtë një njeri normal si gjithësecili prej nesh, që shkon në Kishë e beson në Zot, që i pëlqen të kalojë ditët me familjen e miqtë, e që është një i apasionuar pas shpejtësisë e garave me makina. Disa njerëz jeta i çon me shpejtësi të madhe atje ku ata do të arrinin patjetër dhe me bilancin e punës së tij tre vjeçare në krye të SPAK shihet qartë se ka ditur të zërë një vend të sigurt në memorjen e njerëzve, në furtunën e madhe që po ai vetë dhe kolegët e tij, krijuan.
PYETJET PERSONALE
Mbështetni autorët dhe abonohuni në përmbajtje
Këto artikuj janë premium. Zhbllokoji për të lexuar të gjithë artikullin.







