Pse nikotina ka këtë emër?
Jo vetëm të ashtuquajturit duhanxhinj, por dhe ata që nuk e ndezin fare e njohin nikotinën dhe efektin e dëmshëm në organizim dhe sidomos varësinë që krijon tek duhanpirësit. Por janë të paktë ata që e dinë se pse ky alkaloid ka këtë emër, pra nikotinë. E pra nikotina e ka marrë emrin nga një diplomat dhe leksikograf francez, Jean Nicot (1530-1600) i cili në atë kohë ishte ambasador i Francës në Lisbonë. Duhani sapo kishte filluar të hynte nga Amerika në Europë dhe në atë kohë besohej se kjo bimë kishte efekte shëruese apo qetësuese për disa lloj sëmundjesh sidomos për dhimbjet e kokës. Për këtë arsye Nicot ishte i pari që e solli duhanin në oborrin mbretëror të Francës për të kuruar mbretëreshën Caterina de’ Medici, e cila vuante nga migrena. Jo më kot duhani atëherë në Francë njihej si l’herbe à Nicot ose herbe à la Reine (bari i Nicot ose bari i Mbretëreshës). Për shërbimet e mëdha që i bëri Francës mbreti e bëri fisnik duke i dhënë Villemain, një lokalitet pranë Parisit dhe nga ajo kohë njihet si Jean Nicot de Villemain. Por më shumë se si fisnik emri i tij u bë i pavdekshëm për shkak të bimës me efekte qetësuese për shkak të alkalodit të saj, që për nder të tij u quajt nikotinë.
Mbështetni autorët dhe abonohuni në përmbajtje
Këto artikuj janë premium. Zhbllokoji për të lexuar të gjithë artikullin.






